Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se bota deri në vitin 2030 do të përballet me mungesë të personelit mjekësor, pasi rreth një e katërta e mjekëve pritet të dalin në pension gjatë 10 viteve të ardhshme.
“Për shumë vende, si popullsia ashtu edhe punonjësit shëndetësorë po plaken njëkohësisht. Kjo mund ta përkeqësojë më tej mungesën e parashikuar globale prej 11.1 milionë punonjësish shëndetësorë deri në vitin 2030”, thuhet në njoftimin e OBSH-së, bazuar në të dhënat nga më shumë se 100 vende, të përfshira në raportin e saj.
OBSH vlerëson se deri në vitin 2030, 67 vende do të kenë mungesë të personelit të nevojshëm për të ruajtur standardet aktuale të trajtimit mjekësor.
Për të ruajtur raportin aktual të personelit mjekësor me numrin e popullsisë, nevojiten edhe 832 mijë punonjës shëndetësorë.
Vendet me të ardhura më të larta, përfshirë shumë vende evropiane, pritet të preken më së shumti, pasi kanë një përqindje më të lartë të punonjësve shëndetësorë në moshë të avancuar. Në këto vende, një në tre mjekë pritet të dalë në pension gjatë 10 viteve të ardhshme.
