Mijëra qytetarë protestuan këtë premten në Prishtinë kundër dënimit me burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Protestuesit brohoritën “UÇK” dhe mbajtën pankarta kundër vendimit të gjykatës.
Protesta gjithëpopullore u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe në të morën pjesë edhe politikanë, përfshirë Bedri Hamzën, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.
Protestuesve iu bashkëngjitën edhe familjarë të katërshes së gjykuar në Hagë. Këtu ishte edhe djali i Hashim Thaçit.
Klestor Veseli, djali i Kadri Veseli, tha se familjet dhe mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së nuk e kanë humbur besimin te bota perëndimore dhe drejtësia e saj.
“Nuk e kemi humbur besimin te bota perëndimore, tek drejtësia e tyre. Ne vetëm po kërkojmë korrigjim të një gabimi që ka qenë i zhytur në politikë. Faleminderit edhe juve që po i kushtoni vëmendje kësaj pune”, theksoi Klestor Veseli, djali i kadri veseli.
Në emër të familjarëve të të dënuarve, në foltoren e protestës foli djali i Jakup Krasniqit, Altini, duke u bërë thirrje të gjithëve që t’i lënë anash dallimet politike dhe të bëhen bashkë.
“Jam para jush jo vetëm si biri i një njeriu që po përballet me këtë padrejtësi, por si biri i këtij populli. Lufta jonë ka qenë për liri, për dinjitet, luftë e një populli që për dekada ka qenë i përbuzur. Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik e çdo të zhdukuri, e çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë”, u shpreh Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.
Një familjare e të zhdukurve të luftës, që hapi protestën, tha se po e ngrenë zërin sepse është dënuar pafajësia e një lufte të domosdoshme e një populli që i ishte vjedhur e drejta për liri, e drejta për dinjitet dhe e drejta për jetë.
“Sot kur do të duhej të ishim në ditën e dytë të festës, po protestojmë. Po protestojmë sepse pafajësia është dënuar me dënime drakonike, ndërkohë kriminelët e luftës dhe njerëzimit, po enden në liri. Ky diskriminim, ky tentim për balancë false për të njëjtësuar viktimën me agresorin po na dhemb deri në palcë”
Në protestë u prezantuan katër kërkesa drejtuar institucioneve të Kosovës: shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, shkarkimi i ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla, mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, si dhe angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i ka kërkoi kryeministrit Albin Kurti shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke pretenduar se ajo ka dorëzuar dokumente në Hagë, ndërsa ka kërkuar që nga Qeveria të largohet edhe Liburn Aliu.
“Ne çlirimtarët e vendit nuk jemi kundër asnjë qeverive. Jemi kundër atyre që heshtin. Jemi kundër atyre njerëzve që gëzohen për dënimet. Mua sot më befason Albin Kurti se si i mban në zyrat e veta një njeri që ende asnjë fjalë nuk e foli, një njeri si Donika Gërvalla që ende nuk ka dalë të kërkojë falje para qytetarëve të Kosovës, para dëshmorëve..”, tha Hysni Gucati, OVL-UÇK.
Në një propozonim për gazetarët, kreu i PDK-së Bedri Hamza tha se kjo protestë nuk është drejtuar ndaj askujt, por është në përkrahje të çlirimtarëve.
Përndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë më 16 shtator për disa akuza për krime lufte, duke u dënuar me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kanë paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit.
