TAV Maqedoni ka tërhequr vendimin që e kufizonte hyrjen falas të një automjeti në zonën “Hug & Fly” të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit në vetëm një hyrje brenda 24 orëve.

Kompania njoftoi se, deri në vendosjen e infrastrukturës së nevojshme përcjellëse, zona “Hug & Fly” do të vazhdojë të funksionojë sipas rregullave aktuale, pa ndryshime në kushtet e përdorimit.

Zona mbetet e disponueshme për ndalim të shkurtër falas deri në 10 minuta, për lënien ose marrjen e udhëtarëve.

Nga TAV Maqedoni thonë se monitorojnë vazhdimisht nevojat e përdoruesve dhe funksionimin e aeroportit, me qëllim sigurimin e qasjes së sigurt, efikase dhe të thjeshtë drejt terminalit për udhëtarët dhe vizitorët.

Vendimi për tërheqjen e kufizimit vjen pasi Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës kërkoi sqarime shtesë dhe të dhëna relevante nga TAV Maqedoni lidhur me kufizimin e vendosur për hyrjen falas në zonën “Hug & Fly”./Alsat.mk

The post TAV Maqedoni tërheq kufizimin për hyrjen falas në zonën “Hug & Fly” në Aeroportin e Shkupit appeared first on Alsat.