Banesa e kardinalit shqiptar Ernest Simoni, në Piazza Duomo të Firences, është grabitur nga persona të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kanë çarë një pjesë të murit me dalta dhe më pas kanë hapur derën e blinduar të apartamentit.
Sipas mediave italiane, autorët kanë marrë para në cash, sende ari, bizhuteri, medalje, një vulë ari dhe sende të tjera personale. Vlera e plaçkës së marrë vlerësohet në rreth 30 mijë euro. Mes sendeve të vjedhura është edhe karta e qëndrimit e kardinalit 97-vjeçar.
Në kohën e grabitjes, kardinali Simoni nuk ndodhej në Firence, por në Londër, ku kishte pasur një takim me Mbretin Charles III. Në apartament jeton edhe nipi i tij, Tonin Simoni, me bashkëshorten. Çifti kishte dalë nga banesa rreth orës 13:00 dhe, kur u kthye rreth orës 23:00, e gjeti shtëpinë të kontrolluar në çdo pjesë.
Sipas Tonin Simonit, hajdutët kishin kontrolluar dollapët, sirtarët, valixhet dhe kutitë e banesës. Mjetet e përdorura për të çarë murin u gjetën të braktisura në hapësirën e përbashkët të ndërtesës.
Në vendngjarje ndërhynë karabinierët dhe ekspertët e hetimeve shkencore. Hetuesit po shqyrtojnë gjurmët e mbetura në banesë, si edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Piazza Duomo.
Reagimi i parë i kardinalit, sipas nipit të tij, nuk lidhej me sendet me vlerë. Ai pyeti nëse hajdutët kishin dëmtuar statujat fetare që mban në dhomën e tij: “A e kanë lënë statujën e Zonjës së Medjugorjes? Po statujën e Padre Pios?”
Pasi u sigurua se statujat ishin ende në vend, kardinali u përgjigj: “Atëherë, pak rëndësi ka.”
The post Mediat italiane: Grabitet apartamenti i kardinalit Ernest Simoni appeared first on Alsat.
