Në mbrëmjen e “San Siros” u pa disi Milani i vërtetë. Ende jo saktësisht ai që Ruben Amorim ka në mendje, që kur pranoi këtë sfidë, por diçka e ngjashme. Ose, për të qenë më të qartë, diçka e ngjashme me Milanin që trajneri po mendon të ndërtojë, pasi, siç ka thënë vetë, nuk i ka në dispozicion lojtarët për futbollin e tij ideal.
Kundër Lecce u pa një skuadër logjike, shumë më e organizuar se ajo që humbi ndaj një Benfike të përgjysmuar, shumë më e ekuilibruar se ajo që i dha Lazios më shumë se një pjesë loje përpara se të realizonte një përmbysje madhështore. Kjo kthesë premtuese e kuqezinjve mund të përmblidhet në tri pika kryesore.
1. Të gjithë (ose pothuajse të gjithë) në vendin e tyre. Pjesa e parë e sezonit u zhvillua nën shenjën e eksperimenteve. Disa lojtarë u aktivizuan jashtë pozicioneve të tyre, ndërsa te disa prej tyre Amorim këmbënguli, edhe përballë mospërputhjeve të dukshme. Jo rastësisht, gazetarët portugezë e përshkruajnë si “teimoso”, që në shqip do të thotë pak a shumë “kokëfortë”.
Kundër Lecce, Rabiot u rikthye të luante (shumë mirë) në mesfushë, duke vrapuar edhe për Modriç, i cili kishte lirinë për të krijuar. Pulisic rifitoi vendin e tij dhe shënoi një gol fantastik. Saelemaekers riktheu energjinë dhe formën, sepse gjithsesi di të luajë si trekuartist. I vetmi lojtar që ende përdoret në një pozicion jo plotësisht të tijin është Chukwueze, por këtu kalojmë te pika tjetër.
2. Mbrojtja me tre e gjysmë. Amorim ka ndryshuar vendosjen mbrojtëse. Në thelb, po, ishin tre të zakonshmit: Gila, De Winter dhe Pavloviç. Por kujdes: Estupiñán pothuajse gjithmonë tërhiqej në vijën e tre qendërmbrojtësve, duke formuar një linjë me katër, sidomos gjatë ndërtimit të aksioneve nga prapa.
Ekuadoriani, pavarësisht kufizimeve të tij, në këtë vendosje mund të japë diçka më shumë. Në këtë mënyrë, Gila zhvendoset shumë në të djathtë, duke mbuluar hapësirën pas Chukwuezes, i cili kundër Lecce nuk ishte veçanërisht i shkëlqyer, por që falë aftësive të tij teknike, me këtë mbulim pas shpine, në ndeshje të caktuara mund të japë shumë. Për më tepër, ekziston një mundësi e dyfishtë për të dalë nga zona e vet mbrojtëse: De Winter me topin në këmbë ose Pavloviç me pasimet e gjata.
3. Fryma e bashkëpunimit. Në ndeshjet e mëparshme pati momente kur disa lojtarë menduan se mund t’i zgjidhnin ndeshjet të vetëm, me iniciativa personale dhe ndonjëherë spontane. Kundër Lecce u pa sërish një Milan ku ekzistonte bashkëpunimi reciprok, ku ai që kishte më shumë energji bënte një vrapim shtesë për t’u ardhur në ndihmë shokëve të skuadrës.
Gonçalo Ramos është një nga përfaqësuesit e kësaj fryme të rikthyer. Nuk shënoi, por u sakrifikua gjatë gjithë ndeshjes, duke dhuruar edhe një asistim shumë të bukur për Rabiot.
Pra, ky është Milani i Amorim? Ende jo, por po bëhet. Për momentin është Milani i Rabiot, i Maignan, në fund të fundit edhe i Modric, sepse në ndeshje të tilla ai është ende një vlerë e shtuar. E rëndësishme është që të mos mërzitet kur të qëndrojë jashtë, sepse do të jetë e nevojshme të rriten ritmet e motorit. Milani ka nevojë për të gjithë, për t’u rikthyer lart.
The post Lojtarët në rolin e tyre dhe skema e re mbrojtëse; ja se si Amorim e ka ndryshuar Milanin appeared first on Telesport.
