Roberto Mancini rikthehet në pankinën e kombëtares së Italisë, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij të dytë në krye të “Të Kaltërve”.

Epoka e re do të nisë të premten në mbrëmje në “Olimpico”, ku Italia do të përballet me Belgjikën në ndeshjen e parë të Nations League. Mancini e pret rikthimin me entuziazëm, duke theksuar se dëshiron një skuadër që luan mirë dhe, mbi të gjitha, shijon futbollin.

“Kur u ktheva isha shumë i lumtur. Kemi kaluar momente shumë të bukura së bashku dhe për mua është një kënaqësi e madhe. Për të fituar duhet të jesh një skuadër që luan mirë, argëtohet dhe ka dëshirë të bëjë diçka të rëndësishme”, tha Mancini.

Trajneri që në vitin 2021 e udhëhoqi Italinë drejt titullit evropian, u pyet nëse mund të përsëritet suksesi i së kaluarës.

“Nisemi me idenë për të pasur një skuadër që dominon, luan mirë dhe jep gjithmonë maksimumin. Nuk mund të fitosh gjithmonë, por ne do të nisemi për të fituar”, u shpreh ai.

Mancini ka përpara edhe një mision tjetër – të rikthejë besimin e tifozëve, pas zhgënjimit të madh të Italisë që për herë të tretë radhazi nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës.

“Për të rifituar zemrat e tifozëve duhet t’i bëjmë gjërat mirë dhe ta çojmë Italinë aty ku e meriton. Dua një skuadër që të luajë gjithmonë për të fituar”, deklaroi ai.

Mancini foli edhe për të ardhmen dhe gjeneratën e re të futbollistëve italianë. Ai tha se ka parë shumë lojtarë të rinj me cilësi teknike dhe fizike dhe shprehu bindjen se ata mund t’i sjellin sukses Italisë në vitet e ardhshme.

“Jam i sigurt se në katër vitet e ardhshme do të fitojmë diçka. Nuk nisem asnjëherë për të humbur. Duhet të fitojmë dhe duhet ta bëjmë sa më shpejt”, përfundoi Mancini.