Zvarritet procesi gjyqësor “Besa Trans”, gjashtë muaj s’është dorëzuar aktgjykimi

Gazetar: Suad Bajrami

Zvarritet procesi gjyqësor i njohur në opinion si “Besa Trans”, në të cilin kompania u dënua me 800 mijë denarë, ndërsa pronari i saj, Bekim Haxhiu, me 20 muaj burgim, për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit që u dogj në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona dhe shtatë të tjerë u lënduan.

Aktgjykimin dënues gjyqtari i lëndës, Ivica Stefanovski, e shpalli më 23 mars. Kanë kaluar gjashtë muaj, ndërsa procedura ende nuk ka përfunduar. Sipas Ligjit për Procedurën Penale, aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda 15 ditësh nga shpallja, ndërsa në lëndët e ndërlikuara, brenda 60 ditësh.

“Aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda 15 ditëve nga shpallja, ndërsa në lëndët e ndërlikuara, përjashtimisht, brenda 60 ditëve, afate këto që nuk mund të tejkalohen”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 407 të Ligjit për Procedurë Paraprake.

Nga Gjykata Penale, shkurt deklarohen për Alsat se aktgjykimi është përpiluar me shkrim dhe aktualisht lënda ndodhet në fazën e dorëzimit të vendimit te palët. Pas dorëzimit, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në shkallën e dytë, përkatësisht në Gjykatën e Apelit.

Bekim Haxhiu tashmë prej katër vitesh është në proces gjyqësor për këtë çështje, ndërsa vazhdimisht ka deklaruar se ndihet i pafajshëm. Akuza është ngritur në shtator të vitit 2022, ndërsa procesi gjyqësor zyrtarisht ka nisur në nëntor të po atij viti.

Gjykimi i parë përfundoi pas rreth 16 muajsh, pas së cilit Gjykata Penale e Shkupit, në mars të vitit 2024, e dënoi Haxhiun me 20 muaj burgim, ndërsa kompaninë “Besa Trans” me 800 mijë denarë gjobë. Megjithatë, vendimi nuk u bë i plotfuqishëm. Nëntë muaj më vonë, në dhjetor të vitit 2024, Gjykata e Apelit e shfuqizoi vendimin e Penales dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Rigjykimi filloi në korrik të vitit 2025 dhe zgjati rreth nëntë muaj. Gjykata, sikurse në gjykimin e parë, sërish e dënoi kompaninë me 800 mijë denarë, ndërsa pronarin Bekim Haxhiu me 20 muaj burgim.

Ky proces gjyqësor nuk lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë penale për aksidentin e autobusit në Bullgari. Lënda konkrete ndaj Haxhiut dhe “Besa Trans” lidhet me falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit që u aksidentua në Bullgari.

Sipas aktgjykimit, autobusi nuk do të duhej të qarkullonte për transport të udhëtarëve pa licencën përkatëse. Megjithatë, thuhet se nga 10 janari 2021 deri në daljen e fundit nga Maqedonia e Veriut, më 21 nëntor të po atij viti, autobusi në fjalë ka kaluar 20 herë kufirin me licencë të falsifikuar. /Alsat.mk

The post Zvarritet procesi gjyqësor “Besa Trans”, gjashtë muaj s’është dorëzuar aktgjykimi appeared first on Alsat.