Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Pushkolli, ka njoftuar se është arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Hani i Elezit, në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklaratës së tij, arrestimi është kryer në bazë të një urdhri të lëshuar nga autoritetet serbe dhe lidhet me të kaluarën e tij si pjesëtar i UÇK-së.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se jam arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një urdhër të lëshuar nga autoritetet serbe”, ka deklaruar Pushkolli.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për trajtimin e rastit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij.
Deri në publikimin e këtij lajmi, institucionet kompetente nuk kanë dhënë informacione zyrtare për përmbajtjen e urdhrit, statusin aktual të Pushkollit apo procedurat që pritet të ndiqen.
