Në gjysmën e parë të tetorit studentët dhe dekanët e fakulteteve do të ftohen në takim informues nga ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, i cili do të prezantojë zgjidhjen e propozuar për provimin e jurisprudencës. Ai tha se përmes dialogut dhe bashkëpunimit me asociacionet studentore synohet që studentëve t’u shpjegohet konkretisht se si do të funksionojë zgjidhja.
“Në këtë periudhë janë paraqitur pesë kërkesa nga pesë asociacione studentore. Tre kërkojnë që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, një kërkon në gjuhën angleze dhe një kërkon në gjuhën angleze dhe turke. Duke qenë se në këto pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të dytë, përkatësisht studime master, në gjuhët që i ceka, që do të thotë, krahas gjuhës maqedonase, edhe në gjuhën shqipe, angleze dhe turke. Në këtë drejtim, rëndësi kanë edhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Respektimi i tyre është shumë i rëndësishëm sa i përket kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse”, tha Shasivari.
I pyetur rreth kësaj, Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore i tha TV21 se nuk janë kundër gjuhëve tjera, por nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të mbahet peng për shkak gjuhëve të tjera. Ai gjithashtu tha se presin që i njëjti parim të zbatohet edhe në provimet e tjera shtetërore dhe të mos tentohet që fokusi të përqendrohet vetëm te provimi i jurisprudencës.
“Gjuha shqipe ka bazën e saj kushtetuese dhe ligjore, ndërsa zbatimi i këtyre përcaktimeve është obligim i ministrit. Barazimi i gjuhës shqipe me gjuhët e tjera në këtë kontekst është i padrejtë. Ministri nuk duhet të ngatërrojë obligimin ligjor për zbatimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e popullit shtetformues, me gjuhët që ligjërohen në universitete”, tha Mevlan Ademi, Lëvizja Studentore.
Përveç kësaj nga Lëvizja studentore paralajmërojnë aktivitete të tjera. Përndryshe, para disa muajsh studentët protestuan duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke kërkuar të drejtën për ta zhvilluar provimin në gjuhën në të cilën kanë ndjekur studimet.
