Gjermania e Jürgen Klopp pësoi humbjen e parë, duke u mundur 1-0 nga Greqia në “Nations League”, pas barazimit 1-1 me Holandën. Pavarësisht humbjes, Yann Bisseck i Interit pati një kënaqësi personale: mbrojtësi u rikthye titullar me kombëtaren, pasi kishte humbur Botërorin. Para kësaj ndeshjeje, paraqitja e tij e fundit me Gjermaninë datonte më 23 mars 2025, pikërisht kundër Italisë.
Mediat gjermane e vlerësuan pozitivisht Bisseck, ndërsa disa prej tyre shkruan se ai ishte i vetmi ndër risitë e trajnerit që bindi. Pas ndeshjes, Bisseck tha: “Edhe grekët kanë skuadër të mirë, kanë një trajner të mirë dhe e dinë çfarë bëjnë. Luajtën kompaktë dhe në bllok të ulët, ndaj nuk është gjithmonë e lehtë të krijosh raste. Duhet të punojmë për këtë, por jam i bindur se do të bëjmë mirë”.
Më tej shtoi: “Intensiteti dhe dëshira për të fituar janë faktorët kryesorë. Duhet t’i kemi në fushë, por përveç intensitetit, vrapimit dhe presingut, duhet edhe të luajmë futboll. Në këtë aspekt, Klopp është një nga më të mirët. Duhet t’i zbatojmë më mirë idetë e tij. Me një skuadër të re dhe vetëm dy ditë stërvitje, është e vështirë të marrësh rezultate menjëherë”.
Për të ardhmen me Gjermaninë tha: “Kemi vetëm një muaj futboll me klubet. Do të përpiqem të tregoj vlerat e mia tek Interi dhe, sigurisht, shpresoj të marr një tjetër ftesë nga kombëtarja”.
The post Në Gjermaninë e Klopp shpëton vetëm Bisseck: Do të tregoj vlerat tek Interi për ftesa të tjera appeared first on Telesport.
