Boksieri shqiptar Nelson Hysa (25 fitore e asnjë humbje) është pranë marrëveshjes për të dueluar me gjermanin Agit Kabayel. Ky i fundit është kampion bote në peshën e rëndë, në kategorinë WBC, titull që e mori pasi Oleksandr Usyk e nxori atë vakant në qershor të këtij viti.
Edhe Kabayel është i pamposhtur në ring (27 fitore e asnjë humbje). Ai mbante titullin e përkohshëm të atij Divizioni deri në atë moment, por tashmë i duhet të zgjedhë një rival për të mbrojtur për herë të parë titullin. Dhe duket se Nelson Hysa është kandidati kryesor.
Vetë boksieri 42-vjeçar shqiptar e konfirmoi këtë, duke deklaruar se ai e ka firmosur kontratën dhe se pret që edhe Kabayel të bëjë të njëjtën gjë. Mediat gjermane konfirmojnë së marrëveshje paraprake është arritur edhe pse nuk ka asnjë zyrtarizim nga palët.
Mendohet se kjo sfidë do të zhvillohet më 28 nëntor në Gjermani, në “Merkur Spiel Arena” të Duseldorfit. Kjo do të ishte një përballje e madhe për Nelson Hysa, që ka shansin të duelojë për titullin kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBC, titull që dikur e mbanin edhe Deontay Wilder e Tyson Fury.

The post Nelson Hysa pranë marrëveshjes për të dueluar për titullin kampion bote në peshën e rëndë appeared first on Telesport.
