Tre të akuzuar në rastin për falsifikimin e patentë shoferëve e kanë pranuar fajin dhe janë dënuar me burgim në procedurë të shkurtuar, përcjell TV21. Të akuzuarës së parë, e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i është shqiptuar dënim me burg prej dy vitesh e gjashtë muajsh, ndërsa i akuzuari i dytë dhe i treti janë dënuar me nga një vit e tre muaj burg. Për të tre është vazhduar masa e paraburgimit, njoftuan në një brifing në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
Rasti ka të bëjë me futjen e paligjshme të kategorive në patentë shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre. Nga Gjykata sqarojnë se bëhet fjalë për propozim-akuzë dhe, meqë nuk ka vlerësim të saj, menjëherë është caktuar seancë gjyqësore. Tre persona janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, ndërsa për tre të tjerët, të cilët ishin në paraburgim, dje është mbajtur seancë, ku e kanë pranuar fajin dhe u janë shqiptuar dënime me burg.
Prokuroria Themelore Publike Shkup më 19 shtator ka ngritur propozim-akuzë kundër gjashtë personave për veprën penale të vazhduar “Falsifikim i dokumentit”, sipas nenit 378, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
E akuzuara e parë, e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltare e re për dokumentet e udhëtimit në Departamentin për Çështje Administrative në Shkup, në periudhën nga shtatori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2026, në disa raste ka përdorur kodet e saj zyrtare për të ndryshuar patentë shoferët, duke u shtuar kategori, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Pesë të akuzuarit e tjerë janë shoferë të cilët, edhe pse nuk kishin dhënë provimin e vozitjes për kategoritë C dhe D, në marrëveshje me zyrtaren kanë paraqitur kërkesa për lëshimin e patentë shoferëve, në të cilat janë futur kategori për të cilat nuk i plotësonin kushtet ligjore.
Për tre të akuzuarit që janë të paarritshëm për organet e ndjekjes është propozuar caktimi i masës së paraburgimit pasi të kapen, ndërsa procedura ndaj tyre të vazhdojë në mungesë.
Në kuadër të të njëjtit rast, Prokuroria vazhdon me sigurimin e provave kundër edhe 21 personave të tjerë të dyshuar se kanë qenë ndërmjetësues ose përdorues të patentë-shoferëve të falsifikuar, ndërsa hetimi përfshin edhe abuzime të tjera të mundshme të lidhura me rastin.
