Sezoni i ngrohjes do të fillojë më 15 tetor 2026 dhe do të përfundojë më 15 prill 2027, njoftoi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRRE), përcjell TV21. Sezoni i ngrohjes mund të fillojë edhe më herët, nga 1 tetori, dhe të përfundojë më së voni më 30 prill, në rast se temperatura mesatare e jashtme e parashikuar për ditën e ardhshme është e barabartë ose më e ulët se 12°C.

Në përputhje me Rregullat për furnizim me energji termike dhe Sistemin tarifor për shitjen e energjisë termike, furnizuesi është i detyruar që në ambientet që ngrohen, nga ora 06:00 deri në 22:00 gjatë ditës, të sigurojë temperaturë prej 20±1°C.

KRRE u bën thirrje bashkësive të banorëve që të kontrollojnë instalimet e brendshme dhe instalimet në objektet e banimit, si dhe të shlyejnë faturat e energjisë elektrike për nënstacionet termike, në mënyrë që sezoni i ngrohjes të nisë pa probleme.