Gazetare: Ilirida Sulejmani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri thirrje për bashkëpunim të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin deri më 6 tetor, pasi sipas tij, nuk ka nevojë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja. Kurti njoftoi se ka takuar ndaras kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por tha se marrëveshja fatkeqësisht nuk u realizuar pasi që 6 deputetë nga LDK-ja, nuk dhanë mbështetën.
“Ne e kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë se ajo u shkel dhe braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e partisë së tyre. Para nesh i kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së marrëveshjes së re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të shmangen. Andaj, le të ulemi bashkë, pasi zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Ndërkohë pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së Kurti, bëri thirrje për koordinim të institucioneve, partive parlamentare dhe ekipeve mbrojtëse në funksion të procesit të apelit.
“Thërras në bashkëpunim të ngushtë të subjekteve parlamentare, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, sikurse me ekspertë të fushës, që mos të gjendemi në situata ku vendimet tona do të përdoreshin si rëndesë apo dënim të katërshes së UÇK-së. Si kryeministër do të bëjë gjithçka çka dimë dhe mundemi për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se kjo parti nuk synon të pengojë funksionimin e institucioneve, por ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare derisa Qeveria ta procedojë në Kuvend projektligjin për Dhomat e Specializuara. Mbetet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor, afat pas të cilit, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja. Në të njëjtën kohë, institucionet po përgatiten edhe për fazën e apelit në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së./Alsat.mk.
The post Kurti u ka bërë thirrje partive politike për bashkëpunim në drejtim të zgjedhjes së presidentit deri më 6 tetor appeared first on Alsat.
