Revizioni shtetëror ka zbuluar dobësi serioze në sistemin “Termini im”. Sistemi nacional i informacionit shëndetësor gjatë periudhës janari 2021 – prill 2026 ka qenë gjithsej 738 ditë pa kontratë për mirëmbajtje, përkatësisht 37,9% e periudhës së analizuar, ndërsa të drejtat mbi emërtimin kontrollohen nga një operator privat. Revizorët kanë konstatuar edhe mungesë të listave të termineve, rrezik për favorizim të pacientëve me udhëzime urgjente dhe probleme me sigurinë, të dhënat dhe funksionimin e sistemit.
“Për mirëmbajtjen e “Terminit im” dhe sistemeve të ndërlidhura të informacionit në institucionet shëndetësore publike, gjatë periudhës së analizuar janë lidhur kontrata në vlerë prej 333,3 milionë denarësh, përkatësisht rreth 5,42 milionë euro. Nga këto mjete, 9% i janë referuar sistemit nacional të informacionit shëndetësor, ndërsa 91% janë dedikuar për sisteme të tjera të informacionit në shëndetësinë publike”, tha Entit Shtetëror i Revizionit.
Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, vetëm 29% e vendeve të punës në Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike janë të plotësuara, 48% e investimeve në sisteme të tjera janë përqendruar te vetëm tri kompani, ndërsa emri “Termini im” është regjistruar nga një operator privat. Auditorët kanë konstatuar edhe mungesë të listave të termineve në disa spitale dhe se në “8 Shtatori” janë dërguar SMS-përkujtues për vetëm 10,1% të udhëzimeve të realizuara.
“Analiza e sistemit SMS për njoftimin e termineve të caktuara dhe të anuluara ka treguar se në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” – Shkup, gjatë periudhës 1 janari – 30 prill 2026, numri i SMS-ve të dërguara si përkujtues ishte vetëm 10,1% e numrit të udhëzimeve të realizuara. ESHR ka bërë edhe analizë të të dhënave publike për ndërhyrjet kirurgjikale në periudhën 2021-2025. Nga analiza rezultoi se në sistemin “Termini im” nuk ishin evidentuar ndërhyrje kirurgjikale nga Spitali “8 Shtatori”, edhe pse bëhet fjalë për një nga spitalet më të ngarkuara në vend”, tha Entit Shtetëror i Revizionit.
Në pjesën përmbyllëse të auditimit, ESHR-ja konstaton se listat e pritjes për ndërhyrje operative nuk pasqyrojnë plotësisht gjendjen reale, ndërsa kontrollet e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Dobësi janë evidentuar edhe në sigurinë e IT-së dhe mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë mungesën e procedurave për menaxhimin e qasjeve dhe mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme. Revizorët rekomandojnë përmirësimin e infrastrukturës, sigurimin e vazhdimësisë së sistemeve dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbrojtjes së të dhënave.
