Gazetar: Zekirija Haxhiu

Protestë në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së të cilët u dënuan me gjithsej 81 vite burg nga Gjykata e Specializuar në Hagë. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës akuzuan Specialen se po e njollosë gjithë UÇK-në dhe se vendimi dënues përbën turp për drejtësinë.

“Për gjashtë vjet, ju që udhëhiqni me këtë shtet, nuk e keni kthyer kokën nga ne. Ne nuk kemi dalë në rrugë për kërkesat tona, pasi e kemi pasur vëmendjen tonë te Haga. Vetëm një herë kemi dalë kur ajo gruaja i ka thënë ‘zdravo brate’, apo na vjen votat me i largu veteranët prej pagës minimale. Sot e keni mundësinë ta lani veten. Procedo në Kuvend plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe votoni atë”, deklaroi Gazmend Syla – Nënkryetar i OVL-UÇK.

Përfaqësuesi i platformës “Liria ka emër” Ismail Tasholli, kërkoi nga Bashkimi Evropian që të ketë drejtësi të barabartë.

“Sakrificat tona të brez pas brezi janë shenja e lirisë sonë. Secili brez e dha gjakun, mundin, djersën aq sa diti, aq sa mundi. Themeli ynë është i shumë gjeneratave, e UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se si qysh sot na servojnë si drejtësi, atëherë kemi arsye të madhe se duam drejtësi të barabartë, duam ato vlera që BE-ja, civilizimi perëndimor na i ka mësuar gjatë gjithë kohës”, tha Ismail Tasholli – Platforma “Liria ka emër”.

Në protestë morën pjesë dhe përfaqësues politik të opozitës në Kosovë. Nga OVL UÇK bëjnë të ditur se nuk do të ndalen së protestuari derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Ndërkohë paralelisht vazhdon protestat e qytetarëve, të cilët mblidhen çdo natë në orën 21 në sheshin Skenderbeu në Prishtinë./Alsat.mk.

The post Protestë e madhe në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Alsat.