Në vigjilje të sfidës ndaj Finlandës, Elseid Hysaj doli në konferencë për shtyp në krah të trajnerit Rolando Maran, duke vlerësuar punën e italianit dhe frymën e re që ka sjellë te kombëtarja. Mbrojtësi kuqezi e cilësoi Shqipërinë një skuadër të fortë, ndërsa foli edhe për të ardhmen e tij dhe mundësinë e rikthimit në kampionatin shqiptar:
“Kam ndarë pak përvojë nga e kaluara ime. Tani duhet t’i marrim të rinjtë dhe t’u japim një dorë për t’u rritur. Janë pak më të brishtë se në kohën kur ishim ne. Janë lojtarë me kualitet dhe nuk kam shumë nevojë që t’i ndihmoj. Jam i kënaqur me këtë pjesë.
Kemi një skuadër shumë të fortë. Rivalë si Finlanda dhe Bjellorusia kanë gati të njëjtin nivel si ne. Ishte objektiv i yni për të qenë të parët në grup. Ne jemi skuadër në evolucion, duhet të kërkojmë më shumë nga secili. Kemi trajner që po na jep një dorë për lojë më shumë sulmuese.
Besoj se po dalin në pah shumë lojtarë shqiptarë, por jo shumë mbrojtësa. Besoj se mesfusha dhe sulmi kuqezi kanë shumë zgjidhje. Qefalija, Sina, Hasa janë lojtarë të mirë dhe me të ardhme të madhe. Shqipëria do të jetë e mbrojtur edhe për të ardhmen.
Ende pa klub? Kombëtarja më ndihmoi, duhet të tregoja se jam në formë. Besoj se do të hapet ndonjë mundësi e re. Po bisedoj me disa skuadra, por asgjë konkrete. Mendoj të jem i përqendruar për këtë ndeshje me kombëtaren dhe pastaj do ta zgjedh klubin e ri.
Kampionati shqiptar? Me gjithë respektin që kam për kampionatin shqiptar, i kam ndjekur me të vërtetë, sepse ishte hera e parë që isha në Shqipëri dhe po stërvitesha me Vllazninë. Është kampionat i mirë, por besoj nuk është akoma momenti im që të kthehem në Shqipëri”.
The post Hysaj: Kemi kombëtare shumë të fortë, Maran po na jep një dorë për lojë më sulmuese appeared first on Telesport.
