Bota në të cilën jetojmë po ndryshon me një shpejtësi të tillë, siç rrallëherë është parë më parë, sepse inteligjenca artificiale është teknologjia e së tashmes, e cila tashmë po ndryshon mënyrën se si punojmë. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën ndërkombëtare “Startup Revolution AI Summit”, që u mbajt në Shkup. Ai porositi se Maqedonia nuk duhet të jetë vetëm përdoruese e kësaj teknologjie, por edhe pjesëmarrëse aktive në krijimin e saj.

“A do të jemi ne vetëm përdorues të produkteve, algoritmeve dhe teknologjive të krijuara diku tjetër, apo do të krijojmë kushte që një pjesë e këtyre ideve, produkteve, patentave dhe kompanive të krijohen këtu, pikërisht në Maqedoni, të fillojnë nga Shkupi, Manastiri, Shtipi, Ohri ose Tetova, e më pas të rriten dhe të konkurrojnë në tregun evropian dhe botëror”, tha Hristijan Mickoski.
Mickoski theksoi se nuk duhet të presim që bota të ndryshojë dhe më pas ne të përshtatemi me zhvillimet e reja, por të përpiqemi të krijojmë gjenerata që do të kenë njohuri dhe vetëbesim për të marrë pjesë aktivisht në ndryshimet që tashmë po ndodhin. Me këtë rast, ai tha se Qeveria do të duhet të krijojë potencial dhe kushte në të cilat do të ekzistojnë shanse reale për sukses në këtë fushë.

“Kjo do të thotë infrastrukturë moderne digjitale, shërbime publike më të mira dhe më të shpejta, arsim cilësor, qasje në kapital, lidhje me investitorë dhe tregje ndërkombëtare, por edhe institucione që e kuptojnë ritmin me të cilin funksionon biznesi modern dhe që nuk do të jenë pengesë, por partner i atyre që krijojnë”, deklaroi Mickoski.
Mickoski porositi se me inteligjencën artificiale duhet të kihet kujdes edhe për përgjegjësinë dhe sigurinë, ku do të ketë rregulla të qarta të sistemit që do të sigurojnë përdorimin e tyre të duhur.