Gjykata Penale, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë, mori vendim që pronarit të diskotekës “Puls”, Dejan Jovanov, t’i caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Propozimi i Prokurorisë kishte të bënte me një procedurë të re, e cila është hapur kundër Jovanovit, i cili dyshohet për dhënie ryshfeti ndaj një personi zyrtar. Jovanov duhej të lirohej nesër nga paraburgimi, pasi i skadonte periudha maksimale prej një viti e paraburgimit, e cila mund të përdoret në një procedurë, dhe e cila i ishte caktuar për zjarrin në diskotekën “Puls”.
Paraburgimin në procedurën e re, Jovanov do ta vuajë në Burgun e Shkupit. Siç informuan nga Gjykata Penale, lidhur me propozimin e mbrojtjes së Jovanovit për heqjen e masës së paraburgimit të caktuar më parë në lëndën “Puls”, me përcaktimin e garancisë në vlerë prej rreth 200.000 eurosh në pasuri të paluajtshme, ajo sot është tërhequr nga ana e mbrojtjes.
