Në selinë e LSDM-së, Platforma “Biseda për të ardhmen 12.05” i dorëzoi propozimet për reforma strukturore të partisë. Propozimet u dorëzuan këtë mëngjes në arkivin e partisë, personalisht nga Igor Ivanovski, Sllavjanka Petrovska dhe Kosta Naçevski, ndërsa janë adresuar te kryetari i partisë, Venko Filipçe. Në njoftim thuhet se presin që drejtuesit e partisë t’i shqyrtojë dhe brenda një afati të arsyeshëm të ndërmarrë hapa konkretë. Gjëja e parë që propozojnë ndër masat e dorëzuara është dorëheqja e Filipçes.

“Dorëheqja jote e menjëhershme dhe e parevokueshme nga funksioni i kryetarit të LSDM-së.
-Zgjedhje e menjëhershme e një grupi punues me integritet, kredibil, të paanshëm dhe të pavarur nga udhëheqësia aktuale e partisë, me mandat ekzekutiv për një periudhë të caktuar, i cili do të përgatisë plan për sanimin dhe reformat e thella të brendshme në afatin më të shkurtër të arsyeshëm.
-Rishikimi i zgjedhjes dhe statusit të mandatit të delegatëve aktualë të Kongresit.
-Mbajtja e një kongresi të jashtëzakonshëm për miratimin e ndryshimeve të nevojshme statutore.
-Organizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike brendapartiake”, thonë nga platforma “bisedat për të ardhmen 12.05”.

Nga LSDM-ja njoftuan se e kanë pranuar dokumentin e dorëzuar nga iniciativa brendapartiake, duke e quajtur atë Platforma ZNAM 2.0. Nga partia akuzojnë se pas gjithë kësaj qëndrojnë interesa personale dhe biznesore të lidhura me VMRO-DPMNE-në, ndërsa Filipçe ka legjitimitet nga 18.000 anëtarë të partisë, i cili nuk mund të kontestohet nga një grup prej 17 nënshkruesish.

“Mesazh për platformistët, skemaxhinjtë, ZNAM 2.0 dhe shokët nga partia anti-NATO, anti-BE dhe ruse Levica. Partia nuk është në shitje. LSDM-ja nuk dorëzohet me paradhënie. Për ne, LSDM-ja nuk vlen vetëm 1,6 milionë euro, siç vlen për ju. Ne jemi për Evropën, për të vërtetën dhe drejtësinë. Liria e fjalës, liria e mediave, demokracia, rruga evropiane dhe e ardhmja e Maqedonisë sonë nuk kanë çmim”, thonë nga LSDM.

Dje edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e quajti iniciativën një grup të vogël puçistësh, i cili, siç tha ai, tashmë një vit punon kundër partisë përmes përhapjes së të pavërtetave dhe shpifjeve.