Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mblidhet urgjentisht sot, më 3 tetor, për të shqyrtuar dhe votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar që procedura parlamentare të nisë menjëherë dhe projektligji të trajtohet në të dy leximet. Sipas saj, mes dy leximeve duhet të respektohet afati prej 72 orësh.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Aleanca. Deputeti Burim Ramadani ka kërkuar që seanca të thirret menjëherë dhe ndryshimet ligjore të votohen.

Kërkesa vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së dhe ia përcolli Kuvendit përgjigjen lidhur me projektligjin.

Ndryshimet e propozuara në ligj lidhen me funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe vijnë në një kohë kur në Kosovë po zhvillohet debat i fortë politik pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

PDK-ja kërkon që procesi të përfundojë sa më shpejt, përpara çdo mundësie për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se çështja duhet të trajtohet si interes institucional dhe shtetëror.

The post Presion për ndryshimin e Ligjit për Specialen, kërkohet seancë urgjente appeared first on Alsat.