Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon atij.

“Kam një vendim për të marrë lidhur me Iranin”, tha Trump para gazetarëve, teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë drejt Ohio-s.

Ai deklaroi se Irani është “i shkatërruar” dhe se çështja tani është nëse situata do të zgjidhet “në mënyrën e lehtë apo në atë të vështirë”. Trump tha gjithashtu se Teherani po heq dorë nga plani për zhvillimin e armëve bërthamore.

Ndërkohë, këshilltarët kryesorë të sigurisë kombëtare amerikane janë mbledhur në mënyrë të fshehtë në Camp David, ku kanë diskutuar opsionet ushtarake ndaj Iranit dhe zhvillimet në Jemen.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane po përgatiten për një përgjigje më të gjerë ushtarake në rast të sulmeve të reja amerikane.

Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, komandantët e lartë iranianë po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të objektivave, duke përfshirë edhe vendet që mbështesin operacionet amerikane, madje edhe baza jashtë Lindjes së Mesme.

Tensionet mes palëve vijnë pas një konflikti shtatëmujor, i cili nisi me sulmet amerikano-izraelite në shkurt.

Edhe pse në prill u arrit një armëpushim, përplasjet dhe tensionet mes palëve kanë vazhduar në mënyrë sporadike.