Pas fitores 2-1 të Portugalisë ndaj Norvegjisë të dielën në stadiumin “Estádio do Dragão” (Nations League), trajneri Jorge Jesus u përpoq të ulte tensionin lidhur me përplasjen me Cristiano Ronaldo.

Trajneri e la të hapur derën për rikthimin e kapitenit, duke e cilësuar incidentin si një keqkuptim dhe duke deklaruar se mosmarrëveshja mund të zgjidhej lehtësisht. Jesus shtoi se nuk e dinte se kur do të zgjidhej çështja, pasi vendimi varet edhe nga vetë sulmuesi.

Megjithatë, trajneri e bëri të qartë se nuk kishte ndërmend ta përjashtonte mundësinë e grumbullimit të golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtares portugeze. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

“Për sa më përket mua, gjithçka është e hapur. Ai duhet të vendosë për të ardhmen e tij para se të përzgjidhet skuadra. Nëse luan dhe dëshiron të jetë pjesë e kombëtares, mund të rikthehet sa herë të dojë; pse jo?”, tha Jesus.

Më tej, ai deklaroi: “Ishte një keqkuptim dhe, sipas meje, lehtësisht i zgjidhshëm. Për sa më përket mua, gjithçka është në rregull. Kur do të zgjidhet? Nuk e di; do të shohim. Sapo mbnyllëm grumbullimin”.

Ai përsëriti se nuk do t’i kërkonte falje Cristiano Ronaldo që e kishte lënë të bënte nxehje në vend që ta aktivizonte në ndeshjen e parë kundër Norvegjisë.

The post Jorge Jesus përpiqet të qetësojë situatën me Ronaldo: Mund të rikthehet në kombëtare sa herë të dojë appeared first on Telesport.