Në vitin 2018, pas një ndërhyrjeje urgjente dhe delikate në tru, mjekët i dhanë Sir Alex Fergusonit vetëm 20% mundësi mbijetese. Legjenda e Manchester United e përmbysi edhe një herë parashikimin dhe, pas një rikuperimi të gjatë, u rikthye në “Old Trafford”.
Në një intervistë për “BBC Breakfast”, Ferguson ka rrëfyer dramën e hemorragjisë cerebrale që për pak i kushtoi jetën: “Isha i tmerruar. Kisha humbur zërin dhe nuk mund të flisja. Ishte një moment i frikshëm”.
Pas operacionit, Ferguson kishte humbur plotësisht aftësinë për të folur. “Mbaj mend që nipërit e mi erdhën të më vizitonin dhe unë nuk kisha më zë, nuk mund të flisja. Thirrën një terapiste, e cila filloi të më kërkonte të shkruaja emrat e zogjve, kafshëve, lumenjve. Në këtë mënyrë e rifitova zërin”.
Ish-trajneri kujton se disa pacientë që ndodheshin në spital në të njëjtën kohë nuk arritën të mbijetonin. Pas një rikuperimi shumë të gjatë, Ferguson u largua nga spitali. Katër muaj më vonë u rikthye në stadium për të ndjekur Manchester United, ku u prit me një ovacion të gjatë nga tifozët. Momenti emocionoi edhe bashkëshorten e tij, Cathy, e cila ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 84-vjeçare.
The post Sir Alex Ferguson: Pas hemorragjisë cerebrale nuk mund të flisja më, isha i tmerruar appeared first on Telesport.
