Në një intervistë për “Futnet”, Cristian Chivu mori Francesco Pio Espositon si shembull për të shpjeguar rëndësinë e zgjedhjeve në zhvillimin e një talenti të ri. Sulmuesi i Interit vendosi të largohej nga “Primavera” dhe të luante në Serie B, një hap që, sipas Chivu, ndikoi ndjeshëm në maturimin e tij:
“Ai pati guximin, këtë nuk e tregon askush, të largohej nga ‘Primavera’ dhe të shkonte në një realitet tjetër, në Serie B, në një qytet tjetër ku duhej ta niste nga zero. Në vitin e parë në ‘Primavera’, nëse nuk gaboj, shënoi 17-18 gola. Perspektiva ishte të shënonte 30 gola sezonin pasues, por ai zgjodhi të largohej”.
Chivu kujton bisedën me lojtarin: “Mund të zgjidhte rrugën më të lehtë, por e kuptoi se, duke shkuar diku tjetër, duhej të punonte shumë”.
Për trajnerin, përvoja jashtë Interit e përgatiti më mirë: “Punoi jashtëzakonisht shumë. Flisnim shpesh dhe më tregonte vështirësitë, ambicien dhe mënyrën si përgatitej për të përballuar mbrojtës të një niveli tjetër. Në ekipin e parë e gjeta më të gatshëm, më të pjekur, me të njëjtën uri dhe dëshirë për t’u përmirësuar”.
Chivu foli edhe për talentet italiane: “Nuk shoh një situatë kaq dramatike, talenti del gjithmonë. Ka edhe cikle brezash”.
Ai kritikoi fajësimin e të rinjve dhe trajnerëve të akademive: “Është shumë e lehtë të tregosh gishtin; trajnerët e të rinjve gabojnë, të rinj nuk ka më. Jo, këto janë justifikime. Duhet të gjejmë mënyra dhe zgjidhje dhe të kuptojmë ku kemi gabuar ne. Faji është i yni, jo i atyre që vijnë nga poshtë. Ne kemi më shumë përvojë dhe një të kaluar të rëndësishme”.
The post Chivu vlerëson Espositon: Mund të shënonte 30 gola me ‘Primavera’, por zgjodhi rrugën e vështirë appeared first on Telesport.
