Boksieri britanik Ben Whittaker mbrojti titullin kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha deri 91kg), pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj Conor Wallace të Irlandës së Veriut.

Britanikut (13 fitore, 1 barazim) iu desh të rezistonte me mundim gjatë një raundi të fundit tejet të vështirë, për të siguruar fitoren me pikë ndaj Conor Wallace. Të tri gjyqtarët e ringut i dhanë atij fitoren: 117-111, 116-112 dhe 115-113.

Wallace (17 fitore, 2 humbje) e tronditi rëndë Whittaker në raundin e 12-të dhe të fundit. Ai e bëri britanikun të humbiste ekuilibrin dhe të hidhej për ta kapur kundërshtarin në përpjekje për ta ndalur aksionin (clinch).

Kjo bëri që Whittaker të rrëshqiste dhe të binte në dyshemenë e ringut tri herë, por gjyqtari nuk i konsideroi asnjërën prej tyre si rrëzim zyrtar (knockdown). Gjithsesi, Whittaker shfaqi aftësitë e tij gjatë gjysmës së parë të sfidës, duke dominuar dhe duke kontrolluar distancën mes tyre.

Ai goditi fuqishëm boksierin irlandez, i cili tashmë jeton në Australi. Megjithatë, Wallace i përballoi goditjet, por Whittaker krijoi një epërsi të qartë gjatë nëntë raundeve të para, saqë dukej se e kishte ndeshjen plotësisht nën kontroll.

The post Ben Whittaker qëndron i pamposhtur, mposht Wallace dhe mbron titullin kampion bote appeared first on Telesport.