Trajneri Mikel Arteta ka nënshkruar dje një kontratë të re afatgjatë për të vazhduar qëndrimin e tij te Arsenal. Kontrata aktuale e 44-vjeçarit spanjoll me klubin, e nënshkruar në shtator të vitit 2024, do të skadonte verën e ardhshme.
Megjithatë, trajneri spanjoll, i cili u emërua në vitin 2019, e ka lidhur të ardhmen e tij me klubin deri në qershor të vitit 2030. Arteta ka transformuar ecurinë e Arsenal gjatë mandatit të tij dhe e udhëhoqi klubin drejt titullit të parë në Premier League pas 22 vitesh në sezonin e kaluar.
Ai gjithashtu e çoi ekipin në finalen e dytë të historisë së tyre në Champions League, të cilën e humbën nga penalltitë kundër PSG. Ai ka fituar gjithashtu një FA Cup dhe tri trofe të Community Shield.
“Është privilegj të lidh të ardhmen time me klubin dhe të vazhdoj të punoj me njerëz të jashtëzakonshëm që duan më të mirën për Arsenal. Ky klub është unik, për shkak të karakterit të tij dhe ndjesisë që të fal. Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar që rrugëtimi ynë i përbashkët do të vazhdojë,” tha Arteta në një deklaratë.
“Kemi krijuar tashmë një lidhje të veçantë dhe kujtime që do të zgjasin gjithë jetën; ajo që më emocionon më së shumti është se ky është vetëm fillimi i asaj që mund të arrijmë së bashku. I jam jashtëzakonisht klubit për besimin dhe mbështetjen e tyre, dhe ndihem i nderuar që po e udhëheq këtë klub në një periudhë kaq të veçantë të historisë së tij 140-vjeçare”, tha spanjolli.
Më tej, Arteta tha: “Ky është një moment krenarie të madhe për mua dhe familjen time. E ndjej dashurinë dhe respektin e tifozëve tanë fantastikë dhe, në këmbim, ata kanë dashurinë dhe respektin tim dhe tonin.”
The post Arteta: Privilegj të drejtosh Arsenal, rinovimi i kontratës moment krenarie për mua appeared first on Telesport.
