Ceremonia qendrore me rastin e 85-vjetorit të 11 Tetorit, Ditës së Kryengritjes Popullore kundër Fashizmit, me moton “Ideale që ndërtojnë ardhmëri”, u mbajt në Kumanovë. Të pranishëm ishin kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë dhe fetarë.
Në fjalimin e tij, Mickoski tha se nuk do të lejojë që çështjet e hapura me Bullgarinë të bëhen pengesë për bashkëpunimin. Ai theksoi se në Bashkimin Evropian do të anëtarësohemi duke ruajtur dinjitetin.
“E ardhmja e vërtetë evropiane duhet të jetë një e ardhme në të cilën do të hyjmë me kokën lart, e jo me kokën ulur dhe me dinjitet të nëpërkëmbur. Jo me ndjenjën e humbjes dhe hidhërimit, por me ndjenjën e përkatësisë. Po, synimi ynë është e ardhmja evropiane, por si një shtet që është i sigurt në vetvete, në historinë dhe të ardhmen e tij. Një dinjitet që nuk është objekt negociatash. Duam të ardhme evropiane, aleanca dhe miqësi, por me kokën lart”, tha Hristijan Micksoki.
11 Tetori nuk është vetëm një datë e rëndësishme historike, është një kujtesë e paharrueshme dhe e pashlyeshme, si dhe një zotim i përjetshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e atdheut, theksoi në urimin e saj presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. Ajo bëri thirrje për unitet dhe bashkim të të gjithëve në vend.
“Është koha që shtetin ta trajtojmë si shtëpinë tonë të përbashkët, në të cilën dallimet nuk janë shkak për përçarje, por arsye për të mësuar nga njëri-tjetri, për ta kuptuar njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar vetëdijen për të mirën e përbashkët. Duhet të ndërtojmë një shtet ligjor dhe demokratik, por edhe një shoqëri civile në të cilën ligjet do të vlejnë për të gjithë dhe dinjiteti njerëzor i secilit do të jetë vlerë e paprekshme”, tha Gordana siljanovska-Davkokva
Urim përcolli edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili rikujtoi vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike.
“Është detyrimi ynë që me respekt ta ruajmë kujtimin për të gjithë ata që luftuan dhe u flijuan për lirinë, sundimin e së drejtës dhe të ardhmen evropiane të vendit tonë. Vetëm përmes bashkimit, respektit të ndërsjellë dhe respektimit të dallimeve mund të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo qytetar do të ndihet i vlerësuar në mënyrë të barabartë dhe do të ketë mundësi të kontribuojë në përparimin e përbashkët”, deklaroi Afrim Gashi.
Edhe kryetari i opozitës, njëherësh kryetar i LSDM-së, Venko Filipçe, uroi 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore.
“Lufta për Maqedoninë sot është luftë për liri, respekt të ndërsjellë dhe drejtësi. Lufta për Maqedoninë sot është kundër korrupsionit dhe krimit të ushtrive të pushtetit. Lufta për Maqedoninë sot është luftë kundër shitjes së saj, për minierat, ujin, tokën dhe qendrat e të dhënave. Hajdutët në pushtet do ta nxjerrin në shitje për interesa të huaja dhe për komisione”, tha Venko Filipçe
Urime për 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore, përcollën edhe partitë e tjera politike, organizatat dhe shoqatat.
