Nga sot, mbeturinat nga Kumanova transportohen në deponinë “Drislla” në Shkup, pasi prej disa ditësh banorët lokalë po e bllokojnë deponinë “Krasta”, pranë fshatit Pçinjë. Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, thotë se kjo zgjidhje është e përkohshme, derisa të tejkalohet problemi. Ndërkohë, siç tha ai, po punohet për mbulimin e deponisë me dhe, me qëllim të shuarjes së zjarrit.

“Thirra Shtabin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërmorëm masa dhe hapa konkretë. Falë kompanive me përgjegjësi shoqërore, të cilat na dolën në ndihmë, siguruam mekanizëm të rëndë shtesë, disa buldozerë dhe një numër më të madh kamionësh transportues, të cilët na ndihmuan me sasi të mëdha dheu për ta san uar terrenin dhe fillimisht për ta vënë zjarrin nën kontroll, e më pas edhe për ta neutralizuar plotësish”, tha Dimitrievski

Banorët e fshatrave përreth, Pçinjë, Studena Bara, Vakaf dhe Vince, ankohen për ndotjen e vazhdueshme nga tymi që shkaktohet nga zjarri në deponi. Ata kërkojnë zhvendosjen e saj, por Dimitrievski thotë se një mundësi e tillë nuk ekziston.

“Kërkesat që i parashtron popullata lokale, në një pjesë të madhe, tashmë janë realizuar, ndërsa për një pjesë tjetër do të punohet përmes masave afatgjata. Megjithatë, ka edhe kërkesa që për momentin nuk mund të realizohen. Njëra nga kërkesat kryesore është mbyllja e plotë e kësaj deponie, pasi Kumanova, në përputhje me ligjin dhe të gjitha vendimet e deritanishme të Këshillit, që nga themelimi i kësaj ndërmarrjeje publike në vitin 1951, i ka deponuar të gjitha mbeturinat këtu”, tha Dimistrievski

Dje, kryetari Dimitrievski u takua me banorët që dolën në protestë dhe bllokuan hyrjen në deponi. Një përfaqësues i banorëve tha se protestat nuk janë të drejtuara kundër grumbullimit të mbeturinave në Kumanovë, por kundër deponimit të tyre në deponinë prej së cilës tymi përhapet vazhdimisht drejt vendbanimeve përreth.