Harry Kane po përjeton një sukses të jashtëzakonshëm te Bayern Munich. Statistikat e tij me fanellën e bavarezëve janë mbresëlënëse: 152 gola në 155 ndeshje, në të gjitha kompeticionet.
Që në fillim, sulmuesi anglez fitoi zemrat e tifozëve me përkushtimin e tij dhe me trofetë e parë të karrierës, pas vitesh pa suksese te Tottenham. Me Bayernin ka fituar dy tituj kampion dhe një Kupë të Gjermanisë.
Krahas kësaj, Kane është përshtatur në mënyrë të shkëlqyer me një futboll dinamik dhe spektakolar, duke pasur në krahë lojtarë si Olise dhe Luis Díaz. Edhe jeta familjare në Mynih i ofron një ambient të shkëlqyer. Të martën do të rikthehet në fushë për ndeshjen e Champions League kundër norvegjezëve të Viking Stavanger.
Mbërritja në Mynih – “Kur mbërrita, nuk e dija se çfarë të prisja, – kujton Kane për transferimin e tij në vitin 2023, në një intervistë për kanalet e UEFA-s. – Kam kaluar shumë kohë te Tottenham. E dija se të gjithë prisnin që të shënoja shumë gola dhe të luaja si qendërsulmues, por gjërat kanë shkuar edhe më mirë nga sa e kisha menduar.
Kam shijuar çdo minutë, përfshirë edhe pritshmëritë që ekzistonin ndaj meje. Megjithatë, ka ende përvoja të tjera që dua t’i jetoj dhe objektiva që dua t’i arrij. Fitimi i Champions League është padyshim një prej tyre”.
Mirë se erdhe në Gjermani – “Pritja që më kanë bërë në Gjermani ka qenë e jashtëzakonshme, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time, – theksoi Kane. – Kur Gjermania u eliminua nga Botërori, shumë gjermanë më thanë: ‘Tani do të bëjmë tifo për Anglinë. Duam që të luash mirë dhe të fitosh’. Para se të vija këtu, nuk do ta kisha menduar kurrë se diçka e tillë ishte e mundur. Mendoj se më vlerësojnë si njeri, ashtu edhe si futbollist”.
Ndërsa klubi bavarez po përpiqet të finalizojë rinovimin e kontratës me sulmuesin anglez, i cili do të mbushë 33 vjeç, Kane e ka të qartë se si ndihet në Mynih: “Ndihem vërtet si në shtëpinë time. Në Mynih kalohet shumë kohë në natyrë. Unë qëndroj shpesh në shtëpi, ndonjëherë duke shëtitur qenin…
Vajza ime e madhe e adhuron kalërimin, ndaj shkoj me të në stallat e kuajve. Gjithashtu, luaj futboll me të tjerët në fushën që ndodhet këtu pranë”.
The post Kane dhe jeta si bavarez: Gjithçka ka shkuar më mirë nga sa e mendoja, dua Champions League appeared first on Telesport.
