Antonio Cassano kritikon ashpër Pio Espositon, duke deklaruar se nga tre vëllezërit “Esposito”, më i miri është Salvatore, mesfushori i Sampdorias. Lele Adani nuk pajtohet: “Këtë nuk ta pranoj”.
Emisioni “Viva El Futbol”, me Lele Adani, Antonio Cassano dhe Nicola Ventola, u rikthye pas 4 muajsh heshtjeje. Tema e parë ishte kombëtarja italiane dhe e ardhmja e saj nën drejtimin e Roberto Mancinit, me vëmendje të veçantë te sulmuesi i Interit, Pio Esposito.
Cassano nuk është dakord me vlerësimet pozitive për të: “Nga tre vëllezërit, ai i Sampdorias është shumë më i fortë, por është dembel dhe nuk ka dëshirë të vrapojë. Ka inteligjencë të madhe futbollistike, ndërsa dy të tjerët nuk më japin asgjë”.
Për Salvatore Espositon, ai kujton edhe një bisedë të zhvilluar përmes video-telefonatës, kur Lorenzo Insigne e lidhi nga dhoma e zhveshjes: “I thashë: Zgjohu pak, je më i fortë se dy vëllezërit e tjerë. Duhet të humbasësh 3-4 kilogramë”.
Ventola kundërshtoi vlerësimin se dy vëllezërit e tjerë nuk vlejnë asgjë, ndërsa Adani kërkoi argumente. Cassano këmbënguli: “Nga të tre, më i dobëti është ai i Interit”.
Ai hodhi poshtë edhe krahasimet e Pios me Christian Vierin: “Vieri ishte vite-dritë përpara. Ka qenë një nga qendërsulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit italian, një tank që vendoste ndeshjet. Pio më ngjan më shumë me Luca Toni; i ngathët, rrëzohet, e ka të vështirë të vrapojë dhe të godasë. Është thjesht një numër 9 që lëviz mirë brenda zonës”.
Megjithatë, shifrat e Pio Espositos janë domethënëse: 13 gola dhe 9 asistime që nga sezoni i kaluar, si dhe 7 gola në 13 ndeshje me kombëtaren italiane. Deri në sezonin 2024-2025, ai luante me Spezia në Serie B, ku iu afrua ngjitjes në elitë.
As këto statistika nuk e ndryshojnë mendimin e Cassanos. Sipas tij, Pio përfiton nga shërbimet e shokëve të skuadrës, por ka vështirësi në duelet një kundër një dhe në lëvizjet jashtë zonës.
Adani reagoi duke vënë në dyshim këtë analizë: “Si ka mundësi që Interi e mbajti dhe e konsideron ndër titullarët, nëse nuk bën gjërat e duhura? Vlerësimi duhet bërë mbi atë që një lojtar tregon në fushë, jo vetëm mbi shijen personale”.
The post Cassano: Pio Esposito është i dobët, më i miri nga tre vëllezërit është Salvatore”. Adani: “Këtë nuk ta pranoj” appeared first on Telesport.
