Tension i madh në ndeshjen mes Godoy Cruz dhe All Boys në Argjentinë. Pas akordimit të një penalltie të kontestuar ashpër, kapiteni i All Boys tentoi t’i tregonte arbitrit pamjet e episodit drejtpërdrejt nga telefoni i tij. Loja u ndërpre për rreth 10 minuta.
Gjithçka nisi pas penalltisë së akorduar nga arbitri Nicolás Lamolina për skuadrën e Mendozës, për një ndërhyrje të Iván Zafaranës. Futbollistët e All Boys protestuan, duke pretenduar se faulli kishte ndodhur jashtë zonës së rreptësisë dhe se penalltia nuk duhej të jepej.

Debati u përshkallëzua shpejt, duke përfshirë lojtarët dhe pjesëtarë të stafit teknik. Në një moment, kapiteni i All Boys iu afrua arbitrit me smartphone në dorë, duke u përpjekur t’i tregonte pamjet për të provuar se kontakti kishte ndodhur jashtë zonës.
Synimi ishte i qartë: ta bindte Lamolinën të ndryshonte vendimin dhe ta kthente penalltinë në goditje dënimi. Një lloj VAR-i i improvizuar në fushë, me telefonin si provë.
Protestat zgjatën dhe ndeshja mbeti e ndërprerë për rreth 10 minuta. Episodi riktheu në vëmendje polemikat që shoqërojnë vendimet për rastet e diskutueshme, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në fatin e një ndeshjeje.
The post Ndodh në Argjentinë, futbollisti ia kundërshton penalltinë arbitrit me smartphone. VAR-i bëhet në fushë… appeared first on Telesport.
