Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Këshillin Komunal të Tetovës kanë kulmuar me bllokimin e seancës së sotme. Këshilltarët opozitarë kërkojnë që nga rendi i ditës të hiqen pikat 7 dhe 8, të cilat kanë të bëjnë me dy projekte të planifikuara përmes partneritetit publiko-privat. Opozita pretendon se përmes këtyre projekteve rrezikohet prona publike, ndërsa nga pushteti thonë se bëhet fjalë për investime të rëndësishme për qytetin. Nga opozita theksojnë se nuk janë kundër investimeve, por kundërshtojnë mënyrën se si synohet të realizohen këto projekte.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se pikat nuk duhet të hiqen nga rendi i ditës. Sipas tij, çështjet duhet të trajtohen përmes debatit, argumenteve dhe propozimeve konkrete, duke theksuar se komuna është e hapur edhe për sugjerime alternative.

Seanca vazhdoi deri në orët e pasdites dhe, kur arriti te pika e 7-të e rendit të ditës, u ndërpre për të vazhduar në ditët në vijim. Sipas shumicës, por edhe opozitës, për një vendim të tillë nevojitet më shumë debat dhe duhet të ketë më shumë informacione.