Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump e ka cilësuar liderin ukrainas Volodymyr Zelensky një partner më të vështirë për negociata krahasuar me presidentin Vladimir Putin, duke e paraqitur atë si një pengesë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Gjatë një interviste për Newsmax, Trump theksoi se një marrëveshje paqeje do të ishte e mundur vetëm pa udhëheqësin ukrainas.
“Zelensky nuk është një djalë i mirë për të pasur punë me të. Ai nuk do të pajtohet. Ai thotë se do të pajtohet, por nuk do. Jo, unë nuk jam një fans i madh i Zelensky”, tha Trump.
Edhe lideri ukrainas, së fundmi, shprehu zhgënjim pasi Trump ra dakord me Moskën që të furnizonte tregjet amerikane dhe ato globale me më shumë se 300 mijë tonë naftë, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Trump hodhi akuza ndaj presidentit ukrainas duke thënë se, përmes sulmeve ndaj rafinerive ruse, po kontribuon në rritjen e çmimeve globale të naftës.
“Tani, nëse më thoni se Zelensky po qëllon përsëri rafineritë, e tëra çfarë po bën është rritja e çmimit botëror të naftës. Epo, mendoj se kjo është një turp. Ka shumë objektiva të tjera. Ka shumë objektiva që mund të godasësh. Por kur qëllon rafineritë e naftës ku prodhon, ne kemi nevojë për të dhe bota ka nevojë për të, atëherë ai nuk po i bën një shërbim të mirë botës”, tha Trump.
Ukraina mbështetet ndjeshëm te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht për informacionet e zbulimit që ndihmojnë mbrojtjen ajrore dhe për shërbimin e internetit satelitor “Starlink”.
Zelensky është ankuar për mangësi në shkëmbimin e informacionit të inteligjencës dhe kufizime në aksesin në internet, të cilat, sipas tij, kanë penguar operacionet ukrainase me dronë.
