Paga mesatare në vend deri në fund të vitit 2026 do ta tejkalojë kufirin prej 50.000 denarësh, ndërsa nëse rritja vazhdon me dinamikën aktuale, prej 7 deri në 7,5 për qind, në vitin 2028 ajo mund të arrijë rreth 60.000 denarë. Këto janë pritshmëritë e kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilat i shpalosi gjatë paraqitjes së djeshme në emisionin „Click Plus“ në TV21. Ai tha se këto pritshmëri i bazon në tregues realë. Mickoski theksoi se kur e morën drejtimin e Qeverisë, paga mesatare ishte rreth 650 euro, ndërsa sipas të dhënave të fundit për muajin korrik, ajo ka arritur afërsisht 800 euro.

„Deri në fund të vitit 2026 do ta tejkalojmë atë shifrën magjike prej 50.000 denarësh si pagë mesatare, dhe pres që ta arrijmë këtë. Nëse rritemi mesatarisht me 7 deri në 7,5 për qind, kjo do të thotë se në vitin 2027 mund ta përfundojmë shumë lehtë vitin me pagë mesatare prej 53.000 deri në 54.000 denarësh. Nëse e bëjmë të njëjtën gjë edhe në vitin 2028, atëherë shumë lehtë mund të arrijmë në 57.000–58.000 denarë. Ndoshta nuk do të kemi arritur në 60.000 denarë, por do t’i jemi afruar shumë kësaj shifre, e ndoshta edhe do ta arrijmë. Nuk dihet. Ndoshta pagat do të rriten edhe më shpejt, duke pasur parasysh politikat dhe ambiciet tona“, tha Mickoski

Biznesi konsideron se rritja e pagës mesatare do të jetë e domosdoshme. Megjithatë, thonë se ajo duhet të nxitet nga rritja ekonomike, për të cilën duhet të punohet.

“Duke marrë parasysh situatën komplekse të humbjes së punëtorëve dhe uljes së standardit të jetesës, do të jetë e domosdoshme që pagat në ekonominë maqedonase të rriten. Megjithatë, ne si Konfederatë e Punëdhënësve konsiderojmë se ndoshta do të ishte më mirë që rritja e pagës mesatare të bazohej në rritjen ekonomike, në investime më të mëdha, si dhe në mbështetjen e shtetit për investimet dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha Mile Boshkov

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se, ndërsa pagat minimale në rajon po rriten ndjeshëm, vendi po mbetet në vendnumëro. Ata theksojnë se Qeveria e Maqedonisë flet për një pagë mesatare prej 1.000 eurosh pas dy vitesh, në vitin 2028, por paga mesatare nuk e pasqyron gjendjen reale të pagave, pasi nga çdo 100 punëtorë, 73 prej tyre marrin pagë nën mesataren.

“Theksojmë se sot, një pagë mesatare dhe një pagë minimale mezi e mbulojnë vlerën e shportës minimale sindikale, dhe atë vetëm për gjërat më të domosdoshme për mbijetesë”, tha LSDM

Duke folur për gjendjen me pagën minimale, kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë paraqitjes së djeshme në emisionin „Click Plus“ në TV21, theksoi se ai do të dëshironte që paga minimale të mos ishte 600, por 1.000 euro. Megjithatë, sipas tij, për këtë nevojiten planifikim i përshtatshëm dhe stabilitet. Ai tha se vendit nuk i duhet aventurizëm, por politikë e stabilitetit. Mickoski theksoi gjithashtu se vendi ka rezultatet më të mira ekonomike në rajon dhe se jetohet më mirë sesa para tre vjetësh.