Sipas rezultateve fillestare nga zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të përpunuara nga të gjitha 24 vendvotimet, më së shumti vota ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit „Maqedonia jote“, Stojanço Radieski, njoftoi sonte në konferencë për shtyp kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq.
Radieski ka fituar 2.943 vota, përkatësisht 38,90 për qind të votave.
Në vendin e dytë renditet Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), me 2.152 vota ose 28,45 për qind, ndërsa në vendin e tretë është Jakup Huseini nga koalicioni VLEN, me 1.528 vota ose 20,20 për qind.
Pas tyre renditen Jovica Radeski nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, me 706 vota (9,33 për qind), kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski, me 55 vota (0,73 për qind), dhe kandidatja e pavarur Arife Idrizi, me 21 vota (0,28 për qind).
Kryetari i KSHZ-së, Mariçiq, theksoi se votimi është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe qytetarët e kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës pa pengesa.
Të 24 vendvotimet janë mbyllur me kohë, në orën 19:00, ndërsa në KSHZ nuk ka mbërritur asnjë denoncim për parregullsi apo probleme eventuale që mund të kenë ndikuar në procesin zgjedhor.
„Dhjetë qytetarë e shfrytëzuan mundësinë për mbrojtjen e së drejtës së tyre personale të votës dhe dorëzuan ankesa në Komisionin Komunal Zgjedhor. Katër nga ankesat e dorëzuara u pranuan, ndërsa gjashtë të tjerat u refuzuan si të pabazuara“, informoi Mariçiq.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, të drejtën e votës në zgjedhjet në Bërvenicë e kanë ushtruar 7.565 qytetarë nga gjithsej 16.256 votues të regjistruar, me ç’rast dalja në votime në raundin e parë ka qenë 46,56 për qind. Janë regjistruar edhe 160 fletëvotime të pavlefshme.
Mariçiq rikujtoi afatet për ankesa, duke theksuar se parashtruesit e listave kanë të drejtë të paraqesin ankesa në KSHZ brenda 48 orëve nga përfundimi i votimit, përkatësisht deri të martën, më 20 tetor, në orën 19:00.
KSHZ-ja është e obliguar të marrë vendim brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës, ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen pas përfundimit të të gjitha procedurave.
Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën pasi më 23 qershor të vitit 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.
