Të paktën katër persona kanë humbur jetën nga përmbytjet katastrofike që goditën pjesën lindore të Spanjës pas reshjeve të dendura të shiut të shkaktuara nga stuhia „Adam“. Ndërkohë, helikopterët po shpëtonin njerëzit e bllokuar në çatitë e shtëpive të tyre, ndërsa autoritetet u kërkuan më shumë se 800.000 banorëve të mos dilnin jashtë.

Reshjet e dendura shkëputën nga pjesa tjetër e vendit disa qytete përgjatë bregdetit mesdhetar, ku lumenjtë dolën nga shtretërit dhe përmbytën rrugët.

Stuhia goditi më së shumti zonat bregdetare të Andaluzisë, Murcias, Valencias, Ishujve Balearikë dhe Katalonjës, ku rreziku nga përmbytjet e menjëhershme është i lartë ose shumë i lartë, në varësi të vendndodhjes. Autoritetet spanjolle shpallën alarmin e kuq meteorologjik për „rrezik të jashtëzakonshëm“.

„Po hyjmë në orët më kritike të stuhisë“, deklaroi Ruben del Campo, zëdhënës i Agjencisë Shtetërore Meteorologjike, duke theksuar se erërat e forta dhe të lagështa që vijnë nga Deti Mesdhe po e përforcojnë më tej stuhinë.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i vlerësoi kushtet si „jashtëzakonisht të rënda“, pasi në disa zona sasia e reshjeve gjatë një periudhe prej 48 orësh tejkaloi 600 litra për metër katror, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1987.

Kryetari i bashkisë së Pegos, Enrique Moll, deklaroi se disa persona ende po prisnin të evakuoheshin me helikopter nga çatitë e ndërtesave. Ai shtoi se të gjitha rrugët që të çojnë drejt qytetit janë të bllokuara dhe se në disa zona as mjetet e rënda ushtarake nuk arrijnë të depërtojnë.

Nënkryetari i bashkisë së qytetit bregdetar Oliva njoftoi se ekipet e shpëtimit po u vijnë në ndihmë banorëve të bllokuar, kryesisht personave të moshuar që kanë mbetur të izoluar në shtëpitë e tyre.

Për shkak të paralajmërimeve, mësimi për më shumë se 100.000 nxënës në Valencia është ndërprerë, ndërsa qeveria qendrore ka angazhuar ekipe të posaçme emergjente të ushtrisë dhe të policisë kombëtare.