Dueli i boksierit shqiptar Jurgen Uldedaj, për mbrojtjen e titullin kampion bote në peshën “cruiserweight”, kategoria IBO, ndaj australianit Blake Caparello (ish-kampion bote), e planifikuar për këtë fundjavë në Tiranë është shtyrë.

Lajmin e konfirmoi në rrjetet sociale vetë Uldedaj, që sqaroi arsyet e këtij vendimi: “Gjatë përgatitjeve kam pësuar një dëmtim në stërvitje (sparring), nga i cili pritet të rikuperohem shumë shpejt”.

 “Duke marrë parasysh këtë dëmtim, si dhe situatën e pazakontë që po kalon Tirana, në bashkëpunim me organizatorët dhe IBO, është marrë vendimi për shtyrjen e eventit”, shtoi Uldedaj, që konfirmon se sfida do të zhvillohet po këtë vit dhe po në Tiranë.

“Të mbroj titullin botëror në vendin tim, përpara publikut shqiptar, është një ëndërr dhe një moment që e kam pritur prej shumë kohësh. Dua që kjo përballje historike të zhvillohet në kushtet më të mira, ashtu siç e meriton çdo shqiptar”, tha ai.

“Dua t’ju siguroj se ndeshja nuk është anuluar, por vetëm shtyrë. Shumë shpejt do të njoftoheni për datën e re të ndeshjes, e cila do të zhvillohet brenda këtij viti, në Tiranë. Të gjithë ata që kanë blerë bileta do të informohen gjithashtu për detajet përkatëse”, tha Jurgen Uldedaj.

The post Zyrtare! Probleme dëmtimi dhe protestat në kryeqytet shtyjnë sfidën e Jurgen Uldedaj në Tiranë appeared first on Telesport.