“Besimin nuk duhet ta kërkojmë, por duhet ta meritojmë.“ Këtë mesazh e përcolli kandidati për shef të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Faton Azizi, në emisionin “Click Plus“ në TV21, duke theksuar se integriteti duhet të jetë tipari themelor i drejtuesit të ardhshëm të këtij institucioni.

Azizi theksoi se rikthimi i besimit në Prokurori nuk mund të arrihet vetëm përmes premtimeve, por kërkon rezultate konkrete, pavarësi dhe trajtim të barabartë të të gjithë të dyshuarve.

„Mendoj se komponenti i parë që duhet ta ketë secili prej nesh, përkatësisht shefi i ardhshëm i PTHP-së për NKOK-un, është integriteti. Besimin nuk duhet ta kërkojmë, por duhet ta meritojmë. Të gjithë duhet të mund ta shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të flasim realisht për atë që na nevojitet për ta rikthyer besimin“, deklaroi Azizi.

Ai theksoi se një nga sfidat më të mëdha për Prokurorinë është mungesa e mjeteve financiare dhe e kapaciteteve të duhura kadrovike, të cilat janë të domosdoshme për luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas tij, nëse zgjidhet në krye të këtij institucioni, takimin e parë do ta zhvillonte me prokurorin publik të shtetit, me qëllim që të diskutohej sigurimi i burimeve të nevojshme.

„Jam thellësisht i bindur se prokurori publik i shtetit tregon vullnet, ambicie dhe vendosmëri të madhe për të luftuar për Prokurorinë Publike, në mënyrë që ajo të sigurojë mjetet e nevojshme për të arritur rezultatet që priten realisht prej saj“, theksoi Azizi.

Si një nga prioritetet kryesore, ai veçoi forcimin e qendrës hetimore, e cila, sipas tij, duhet të ketë personel të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm, në mënyrë që prokurorët të mund të përballen me sukses me lëndët komplekse.

„Na nevojitet një qendër hetimore me personel të mjaftueshëm, në mënyrë që prokurori publik, së bashku me ekipin e tij, të mund të përballet me të gjitha sfidat që i sjell puna“, tha Azizi.

Ai theksoi se shefi i ardhshëm i Prokurorisë duhet të jetë i pavarur nga çdo qendër ndikimi dhe të garantojë trajtim të barabartë në ndjekjen penale.

„Një prokuror i besueshëm dhe me integritet, i cili nuk do të jetë zgjatim i dorës së qendrave të caktuara të ndikimit; një prokuror që do të japë rezultate në drejtësi dhe ku asnjë i dyshuar nuk do të trajtohet si i dyshuar i vogël apo i madh“, u shpreh Azizi.

Kandidati theksoi se në Prokurori punojnë prokurorë të aftë dhe të përkushtuar, por mungesa e personelit të specializuar dhe e kuadrove të mjaftueshme hetimore e kufizon efikasitetin e tyre.

Azizi bëri gjithashtu një krahasim me prokuroritë në rajon, duke theksuar se pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare i jep mundësinë të vërejë dallimet në kapacitete dhe në kushtet e punës.

Sipas tij, që Prokuroria të japë rezultate dhe të rikthejë besimin e qytetarëve, nevojiten integritet i fortë, mbështetje financiare, qendra hetimore me personel të mjaftueshëm dhe prokurorë që veprojnë në mënyrë të pavarur, pavarësisht fuqisë apo ndikimit të të dyshuarve.