Kylian Mbappé është përfshirë në një polemikë në Kinë. Sulmuesi i Real Madridit ka humbur tri marrëveshje tregtare me kompani kineze, pas publikimit të një videoje ku bënte shaka për Mao Ce Duni.

Videoja shkaktoi zemërim në vend, ndërsa Ministria e Jashtme kineze e cilësoi reagimin e publikut si të natyrshëm ndaj deklaratave ose sjelljeve që konsiderohen fyese për ndjenjat kombëtare. “Çdo deklaratë apo veprim që lëndon ndjenjat e popullit kinez ndeshet natyrshëm me refuzimin e përbashkët të të gjithë shoqërisë”, – deklaroi ministria.

Polemika nisi pasi Mbappé foli për “memet” që krijohen rreth tij. Francezi tregoi se i ishte dukur zbavitës një fotomontazh, ku fytyra e tij ishte vendosur mbi atë të një figure që ai vetë e përshkroi si “diktator kinez”.

Reagimi i sponsorëve ishte i menjëhershëm. Tre kompani që përdornin imazhin e futbollistit, gjigantët kinezë “Dongpeng” (pije), “Mengniu” (produkte bulmeti) dhe “Milkground” (djathëra), njoftuan ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit.

Vendimi u justifikua me politikën e “tolerancës zero” ndaj deklaratave që konsiderohen cenim i identitetit kombëtar kinez. Për kapitenin e Francës, kjo përbën një goditje të rëndë komerciale në tregun kinez, ku imazhi i tij kishte vlerë të konsiderueshme.

 

The post Kina nuk toleron, i heq Mbappés 3 kontrata të majme financiare pas batutës për Mao Ce Duni appeared first on Telesport.