Kryetari i ASh – VLEN, Arben Taravari në Click Plus ka dërguar akuza deri te deputeti i Frontit Europian, Sali Murat sepse derisa ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nuk e zgjodhi lëndën e “Balancuesit”.

Taravari akuzoi Murat edhe se është deputet i përzgjedhur i kryetarit të integristëve, Ali Ahmeti dhe se nuk ka të bëjë me parti dhe shoqatë të turqve.

“Ligji për “balancuesin” dhe për gjuhën shqipe është prej 2018. Atëherë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese nëse nuk ka gaboj ka qenë Sali Murat. Ai tash është deputet i BDI-së dhe jo i Frontit Europian. Sali Murat është individ i propozuar nga zotëri Ahmeti si deputet i BDI-së. Nuk ka lidhje as me parti as me shoqata joqeveritare. Sali Murat nuk është anëtar as i TDP-së, Bejxhani po. Sali Murat është individ i përzgjedhur prej zotëri Ahmetit. Në 2018, ky individ, ky deputet ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Lënda është dorëzuar në 2019 dhe Sali Murat tani deputet, atëherë si kryetar i Gjykatës Kushtetuese ka mund ta zgjidhë këtë lëndë dhe jo të merremi tani ne me problemet që janë trashëguar BDI. Ne nuk kemi qenë kundër “balancuesit”. Kemi thënë se “balancuesi” nuk është mekanizëm i mirë sepse është keqpërdorur edhe prej shqiptarëve dhe prej maqedonasve dhe kemi propozuar ligjin tonë për përfaqësim të drejtë”, tha Taravari.

Por menjëherë ka reaguar Murat. Ai nëpërmjet një porosie dërguar ndaj udhëheqësit të Click Plus, thotë se derisa ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese, në raftet e Gjykatës nuk ka pasur lëndë të “Balancuesit”.

“Si ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe si deputet ndjej obligim të përgjigjem ndaj pretendimeve të bëra nga zotëri Taravari në emisionin tuaj që një politikan që ka zakon ta mashtrojë opinionin, sepse nuk është ashtu siç e thotë. Mandati im si kryetar përfundoi më 1 qershor 2021. Dosja e Balancuesit nuk ekziston në Gjykatën Kushtetuese dhe as gjatë mandatit tim si kryetar i Gjykatës Kushtetuese”, tha mes tjerash Murat.

Taravari komentoi më pas.

“Gëzohem se nuk e mohon se nuk është as anëtar i një partie politike dhe shoqate joqeveritare, por thjesht një i përzgjedhur i zotëri Ahmetit. Pse zotëri Ahmeti përzgjodhi si deputet një anëtarë të etnisë turke dhe ish kryetar të Gjykatës Kushtetuese, kjo enigmatike dhe misterioze për mua?”.