Me një makinë Mercedes që më në fund është e aftë të fitojë një titull botëror, George Russell e ka gjetur veten të tejkaluar nga talenti i jashtëzakonshëm i Kimi Antonelli. Piloti britanik nuk ka arritur të mbajë ritmin e shokut të tij të skuadrës, i cili aktualisht e kryeson renditjen e Formula 1 me 123 pikë ndaj britanikut.

Italiani 20-vjeçar ka fituar edhe duelet direkte mes tyre: Me rezultatin 9-3 në fitore garash dhe 7-5 në “pole position”. Ka qenë një disfatë e thellë dhe e dukshme për Russell, veçanërisht në garën e fundit në Austin, ku britaniku e kaloi vijën e finishit 54 sekonda pas italianit.

Gjithsesi, Toto Wolff merr në mbrojtje Russell dhe ka ndërhyrë për ta mbrojtur fuqishëm pilotin e tij. “George ka hasur vështirësi të mëdha dhe besoj se kjo ndodh sepse sjellja e makinës në ‘dritaren’ e duhur të funksionimit është jashtëzakonisht e vështirë,” theksoi menaxheri austriak.

“Kur makina del jashtë asaj ‘dritareje’, ai has vështirësi, madje edhe më shumë se Kimi. Dhe kjo është përgjegjësia jonë. Duhet të punojmë me të për të kuptuar pse ekziston një hendek i tillë në performancë, sepse George sigurisht që nuk është gjysmë sekonde apo tre të dhjetat më i ngadaltë se Kimi. Kjo absolutisht nuk është e vërtetë“, tha Wolff.

“Ndoshta është e vështirë të përballesh me një situatë ku ndjen se ky është viti ‘yt’, por papritur një ‘talent i jashtëzakonshëm’ në anën tjetër të garazhit fillon të zvogëlojë avantazhin tënd. Nëse i ofrojmë George një makinë të shpejtë sezonin e ardhshëm, ai ka gjithçka që duhet për të fituar kampionatin,” deklaroi Wolff.

The post Wolff mbron Russell: Nuk është më i avashtë se Kimi, nëse i ofrojmë një makinë të shpejtë mund të fitojë titullin appeared first on Telesport.