Një fitore që erdhi pothuajse papritur. Como diktoi lojën në Torino, por e gjeti veten në disavantazh me një gol, kur kishin mbetur edhe dhjetë minuta lojë. Më pas, në skenë doli Nico Paz; me një gol dhe një asistim brenda vetëm pesë minutash, ai e përmbysi ndeshjen.

Ishte një fitore që e mbushi trajnerin Cesc Fabregas me krenari: “Jemi një skuadër që po rritemi dhe duhet ta vërtetojmë këtë në fushë. Ajo që më pëlqeu në fitoren 3-1 ndaj Torino ishte dëshira për të fituar, deri në minutën e fundit. Të fitosh në Itali është jashtëzakonisht e vështirë, ndaj dua t’u jap shumë merita djemve”.

“Po përjetojmë një rrugëtim të tillë për herë të parë në historinë tonë dhe këta lojtarë më japin gjithmonë gjithçka. Kjo është arsyeja pse u kam dhënë një ditë pushim, por duke filluar nga e enjtja, duhet të përqendrohemi sërish te ndeshja kundër Venezias, e cila, sigurisht, nuk do të jetë e lehtë“, tha trajneri spanjoll.

“Ndoshta vitin e kaluar nuk do ta kishim fituar një ndeshje të tillë, sepse nuk dinim si t’i menaxhonim situata të tilla. Jemi rritur dhe duhet të jemi të kënaqur me këtë përmirësim, por nuk mund të lejojmë të relaksohemi, duhet të vazhdojmë të punojmë”, tha Fabregas.

Como po ecën me të njëjtin ritëm si kryesuesit e kampionatit, por Fabregas është me këmbë në tokë: “Kjo është hera e parë në historinë tonë që luajmë në Champions League, ndaj rotacioni është thelbësor. Nuk kemi aktivizuar kurrë të njëjtin formacion titullar në dy ndeshje të ndryshme. Kemi nevojë për të gjithë”.

“Në kampionat nuk e di as sa pikë kemi aktualisht, sepse nuk e shikoj renditjen, ​​nuk është diçka që më intereson. Ajo që ka rëndësi për mua është që djemtë të vazhdojnë të luajnë ashtu siç duam ne, duke e ngritur nivelin e tyre për t’u bërë gjithnjë e më të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu“, tha Fabregas.

The post Fabregas: Como nuk synon titullin në Serie A, por jemi më lart se vitin e kaluar appeared first on Telesport.