Austria do të nisë një hetim parlamentar për përdorimin e syzeve inteligjente, mes shqetësimeve se këto pajisje mund të cenojnë privatësinë dhe të mundësojnë regjistrimin e fshehtë të qytetarëve.

Sekretari i shtetit për dixhitalizimin, Alexander Pröll, ka prezantuar një propozim me tri faza për rregullimin e kësaj teknologjie, e cila mund të përfshijë kamera, mikrofonë dhe funksione të inteligjencës artificiale.

Sipas transmetuesit publik austriak ORF, propozimi parasheh kufizime të posaçme për regjistrimin e pamjeve dhe audios, veçanërisht në ambiente të ndjeshme.

Regjistrimet pritet të ndalohen në shkolla, kopshte, dhoma zhveshjeje, tualete, gjykata, burgje, si dhe në objekte policore dhe ushtarake.

Ndërsa në hapësirat publike, regjistrimi duhet të jetë qartësisht i dukshëm për personat e tjerë.

Hetimi parlamentar do të përfshijë ekspertë të teknologjisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si dhe përfaqësues të grupeve që mund të preken nga përdorimi i këtyre pajisjeve.

Megjithatë, Austria nuk synon ndalimin e plotë të syzeve inteligjente, por vendosjen e rregullave që mundësojnë zhvillimin teknologjik pa cenuar privatësinë e qytetarëve.