Seanca e rigjykimit për spitalin modular në Tetovë assesi të filloj. Edhe përpjekja e tretë dështoi, pasi gjykatësi i lëndës Jordan Vellkovski është operuar. Në seancë u paraqitën dy të akuzuarit  Florin Besimi dhe Artan Etemi, ndërsa mungoi përfaqësuesi i spitalit Klinik të Tetovës. Familjarët thonë se janë të lodhur nga anulimi i seancave. Ata kërkojnë që ky proces të mbyllet sa më parë shkaku se çdo anulim u shkakton më shumë dhimbje.

“Për ne familjarët e viktimave çdo anulim sjell nga një dhimbje për ne familjarët. Seanca e sotme u anulua shkaku se gjykatësi i cili duhet ta mbajë seancën është operuar dhe u shty seanca për më 15 janar. Ne si familjar e kemi humbur durimin në këtë drejtësi, në këtë shtet dhe nëpërmjet mediave  tuaja i bëjmë apel gjykatësit themelor në Tetovë që ta marre këtë më seriozisht dhe t’i japim fund çështjes së spitalit modular. Për ne është shumë e lodhshme,  muajin e kaluar që anulua dhe tash me 15 janar do mbahet seanca e tretë, për ne është shumë  lodhshme dhe psikikisht edhe moralisht jemi të lodhur si familjar”, tha Mumin Ismaili – familjar i viktimave.

Njëri nga të akuzuarit Florin Besimi thotë se ai është i pranishëm në çdo seancë dhe pret që  kjo gjykatë të merr parasysh rekomandimet e gjykatës së apelit.

“Shpresoj se ky proces do të finalizohet sa më shpejtë , dhe do të merren parasysh nga kjo gjykatë vendimet dhe rekomandimet e gjykatës më të lartë, gjykatës së apelit. Në asnjë seancë nuk kamë munguar dhe jam paraqitur rregullisht dhe unë edhe mbrojtësit e mi avokatët”,  theksoi Florim Besimi – i akuzuar.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme. Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit.  Ndryshe, vitin e kaluar Gjykata Themelore Penale në Tetovë dënoi Florin Besimi dhe Artan Etemi me 1 vjet e 6 muaj burg me kusht dhe 1 milion denarë dënim me para, ndërsa Boban Vuçevski dhe Klinika e Tetovës si institucion u liruan nga akuzat. Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit në Gostivar ktheu në rigjykim rastin.