Edhe sot më 3 nëntor, kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën e dialogut për studentët dhe pedagogët.

Pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme, kreu i qeverisë ka vendosur sërish sofrën e gurtë dhe mbi të letrat, me mbishkrimin “dialog”.

Kryeministri ka shprehur gatishmërinë e tij për të shqyrtuar problematikat e studentëve, si dhe protestuesve.

Qeveria ka marrë dhe masa për të ndaluar dhunën në protesta, përmes ndryshimeve ligjore, që synojnë gjoba dhe dënime për protestuesit e dhunshëm.

Po ashtu, Rama ka prezantuar edhe risi në platformën e-Albania, duke deklaruar se 19 shërbime ofrohen tani më lehtë.

Protesta ka hyrë në ditën e 22-të dhe kërkesa kryesore e studentëve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit është shprehur se nuk e jep dorëheqjen, duke shtuar se synimi i qeverisë së tij është integrimi i vendit në Bashkimin Europian.