Një person i maskuar dyshohet se ka grabitur nën kërcënimin e armës një degë të Bankës për Biznes (BPB) në Prishtinë dhe është larguar me një shumë parash, vlera e së cilës ende nuk është konfirmuar.

Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, që u referohet burimeve të veta, ngjarja ka ndodhur të martën, më 3 nëntor, rreth orës 12:46, në rrugën “Agron Rrahmani”.

I dyshuari raportohet se ka hyrë në bankë me fytyrën të mbuluar dhe i ka drejtuar pistoletën një punonjëseje, duke kërkuar dorëzimin e parave. Në ato çaste, brenda degës ndodheshin tri punonjëse dhe një klient.

Pas marrjes së parave, ai është larguar në drejtim të panjohur.

Patrullat policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë marrë informacion nga personat e pranishëm. Në trajtimin e rastit janë angazhuar edhe njësitë hetimore dhe ekipet e forenzikës.

Sipas të njëjtit raportim, identiteti i të dyshuarit ende nuk është përcaktuar. Rasti po hetohet si “Grabitje”, ndërsa po vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e tij.