Kompania ajrore “Flydubai” nga 1 prilli 2027 do të rikthejë fluturimet mes Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Janë planifikuar tri fluturime në javë, të hënën, të enjten dhe të shtunën, përcjell TV21. Me rikthimin e kësaj linje, udhëtarët do të kenë sërish lidhje të drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Dubait, si dhe mundësi për t’u lidhur me qindra destinacione të tjera përmes partneritetit për ndarjen e fluturimeve (Codeshare) mes “Flydubai” dhe “Emirates”.

Drejtori ekzekutiv i “Flydubai”, Ghaith Al Ghaith, thotë se rikthimi i linjës konfirmon përkushtimin e kompanisë për të lidhur tregjet që kanë numër të kufizuar të fluturimeve direkte me Dubain.

“Lidhshmëria është një pjesë kyçe e suksesit të Dubait si qendër globale e aviacionit. Në Flydubai gjithmonë kemi besuar se lidhja e tregjeve që kanë pak linja ajrore direkte me Dubain krijon mundësi për turizëm, tregti dhe shkëmbim kulturor. Rikthimi në Shkup pasqyron këtë përkushtim të vazhdueshëm”, deklaroi Al Ghaith.

Nënkryetari i lartë i departamentit për operacione komerciale dhe tregti elektronike në kompani, Jeyhun Efendi, vlerësoi se rikthimi i linjës do t’u mundësojë udhëtarëve më shumë zgjedhje dhe fleksibilitet.

“Evropa vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë të rrjetit. Rikthimi i fluturimeve drejt Shkupit u ofron klientëve tanë më shumë zgjedhje dhe fleksibilitet, ndërsa paraqet edhe një mundësi tërheqëse udhëtimi me vetëm një ndalesë për turistët, udhëtarët e biznesit dhe diasporën maqedonase nga Australia dhe Azia”, tha Efendi.

Përmes partneritetit me “Emirates”, udhëtarët nga Shkupi do të mund të vazhdojnë udhëtimin drejt shumë destinacioneve në Australi dhe Azi, përfshirë Shangain dhe Singaporin, si dhe drejt destinacioneve të rrjetit të „Flydubai“, si Bangkoku, Colombo dhe Zanzibar.

Udhëtarët do të kenë mundësi të bëjnë një rezervim të vetëm dhe të regjistrojnë bagazhin drejtpërdrejt deri në destinacionin përfundimtar.

“Flydubai” për herë të parë nisi fluturimet në linjën Shkup–Dubai në tetor të vitit 2012, ndërsa me rikthimin e kësaj linje do të jetë sërish e pranishme në tregun e aviacionit të Maqedonisë.

“Flydubai” ka një flotë prej 99 avionësh të tipit “Boeing 737”, ndërsa me rikthimin e linjës drejt Shkupit, rrjeti i saj do të përfshijë mbi 120 destinacione në 57 shtete.