Trajneri i kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka shpallur listën me 27 futbollistë për dy ndeshjet e radhës në “UEFA Nations League”. Thomas Strakosha nuk ka arritur të rikuperohet në kohë dhe do të mungojë sërish, ashtu si në dy sfidat e mëparshme. Në vend të tij, Maran ka ftuar përsëri Etrit Berishën.
Në listë ka edhe disa ndryshime të tjera. Pas rikuperimit nga dëmtimi rikthehet Arlind Ajeti, ndërsa Qazim Laçi është sërish i gatshëm për kuqezinjtë, pasi mungoi në dy ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike.
Një risi është thirrja e parë për Ysni Ismailajn, futbollistin e Dinamos. Në listë rikthehet gjithashtu Klevi Qefalija, edhe ai pjesë e skuadrës dinamovite të drejtuar nga Ilir Daja.
Pjesa tjetër e grupit mbetet e pandryshuar, me Maran që do të ketë në dispozicion 27 lojtarë për dy përballjet e nëntorit. Kuqezinjtë do ta nisin aventurën e nëntorit me ndeshjen ndaj Finlandës, që do të luhet më 12 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45. Më pas, Shqipëria do të udhëtojë drejt Budapestit, ku më 15 nëntor do të përballet me Bjellorusinë, në stadiumin “Illovszky Rudolf”, në orën 18:00.
LISTA E FUTBOLLISTËVE TË GRUMBULLUAR
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Samuele Sina, Elseid Hysaj, Ysni Ismaili, Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser Aliji.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Luis Hasa, Feta Fetai, Klevi Qefalija, Ernest Muçi, Arbër Hoxha, Taulant Seferi.
Sulmues: Rey Manaj, Myrto Uzuni, Mirlind Daku, Cristian Shpendi.
The post Strakosha mbetet sërish jashtë prej dëmtimit, Maran fton për herë të parë Ismailajn appeared first on Telesport.
