Luis de la Fuente nuk e ka ndërmend të përqendrohet tepër te minutazhi i lojtarëve të tij, përpara ndeshjeve të Spanjës në Nations League kundër Republikës Çeke dhe Anglisë.

Herën e kaluar, trajneri i Spanjës ishte i vendosur që asnjë lojtar të mos luante më shumë se 270 minuta në total gjatë katër ndeshjeve. Këtë herë, situata duket disi ndryshe.

“Mundo Deportivo” pasqyroi komentet e tij, të thëna me një ton sarkastik: “Këtë herë, asnjë lojtar nuk do të luajë më shumë se 180 minuta. Epo, ndoshta kohëzgjatja do të jetë pak më e madhe, sepse ndeshjet tani priren të zgjasin më shumë”.

Prioriteti i tij është i thjeshtë. “Janë dy ndeshje vendimtare dhe kemi shumë në lojë. Synimi ynë është të aktivizojmë lojtarët më të mirë në të dyja ndeshjet”, shpjegoi ai.

I pyetur për komentet e politikanit Alberto Núñez Feijoo – i cili sugjeroi se Spanja duhet të heqë dorë nga organizimi i Kupës së Botës 2030 nëse finalja zhvillohet në Marok – De la Fuente mbeti i palëkundur në qëndrimin e tij.

“Ajo që them unë është se finalja e Kupës së Botës duhet të zhvillohet në Spanjë. Sa i përket detyrës sime, ajo është të përgatis ekipin më të mirë të mundshëm; për pjesën tjetër le të kujdesen ata që u takon”.

Së fundmi, ai foli për mungesën e Gavit, i cili mbetet jashtë skuadrës për herën e dytë radhazi që nga Kupa e Botës.

De la Fuente vazhdon të ketë besim te mesfushori i Barcelonës. Ai dëshiron që Gavi të vazhdojë të punojë për të rifituar vendin e tij.

“Gavi meriton gjithmonë një trajtim të veçantë. Është jashtëzakonisht e vështirë të bëhesh pjesë e këtij grupi. Gavi duhet të vazhdojë të jetë vetvetja. Ai duhet të vazhdojë të zhvillohet, ashtu siç duhet të bëjnë të gjithë”, përfundoi ai.

The post De la Fuente befason Marokun, i jep një këshillë yllit të Barcelona-s pas përjashtimit nga skuadra appeared first on Telesport.